Rreth Nismës

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë u miratua me referendum në nëntor të vitit 1998. Përgjatë këtyre viteve, Kushtetuta ka pësuar disa ndryshime, për të cilat ka pasur kundërshtime të shumta nga partitë e mëdha dhe sidomos nga partitë e vogla. Bie në sy se ndryshimet nuk janë paraprirë nga një proçes diskutimi e konsultimi të gjerë me grupet e interesit, nuk janë mbështetur në analiza apo studime të mirëfillta. Mbi të gjitha, ka munguar një vullnet gjithëpërfshirës. Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë, Soros, në kuadër së strategjisë katër-vjeçare 2014-2017, në bashkëpunim me ekspertë të fushës dhe partnerë të tjerë, ka ndërmarrë nismën për fillimin e një debati të gjerë publik mbi nevojën parësore që ka vendi për një reformë rrënjësore kushtetuese. Rishikimi i Kushtetutës si një proçes kompleks e delikat lyp një përfshirje e kontribut aktiv të gjithë spektrit politik (brenda dhe jashtë parlamentit), të shoqërisë civile dhe të grupeve të interesit. Transparenca dhe gjithëpërfshirja, duhet të jenë fjalët kyçe të këtij proçesi.